LAJME

Xhavit Haliti figurë përçarëse e luftës, nuk e implementoi marrëveshjen e Osllos

“Deklarata e Xhavit Halitit nuk është gjë tjetër veçse vazhdimësi e politikave të tij që kanë pasur për qëllim çdo herë që të përçaj zakonisht grupet guerile edhe gjatë luftës edhe pas luftës, pra ka qenë njeriu kyç që ka luajtur rolin më negativ në çështjen e bashkëpunimit e partive politike në Kosovë”, thotë publicisti Gazmend Islami për gazetën.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherit ish anëtar i LPK-së, Xhavit Haliti në një deklaratë të tij ka thënë se, nuk ka asnjë argument se ka ekzistuar FARK-u (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës), gjatë luftës  kundër Serbisë.

“Nuk ka asnjë argument që ka pasur FARK. Mirë që kanë luftuar por FARK nuk ka pasur, ata që kanë luftuar, në rregull. Po s’ka pasur punë, unë e di më mirë se çdokush se çfarë ka qenë FARK-u”, është shprehur Xhaviti.

Kjo deklaratë e tij ka ngjallur reagime të mëdha të opinionit, e në veçanti te njerëzit që e njihnin luftën dhe ata që bënin pjesë në të.

Miku i afërt i kolonel Tahir Zemajt, ish majori Nazif Ramabaja, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se FARK ishte kategori kushtetuese në bazë të kushtetutës së Kaçanikut 7 shtator 1990. Ai thotë se dëshmia më e mirë që ka ekzistuar FARK-u, është betimi që është dhënë edhe nga ai vetë para kolonelit Ahmet Krasniqit.