EKONOMI

U mashtruan për punë jashtë vendit, firma nuk u jep paratë

U mashtruan për punë jashtë vendit, firma nuk u jep paratë.
Një grup qytetarësh nga Shqipëria kanë denoncuar në emisionin “Stop” se janë mashtruar nga firma e ndërtimit “Marko 2” me pronar Artjan Marko, i cili i premtoi punësim në Egjipt. Ata firmosën një kontratë për pagesë mujore 2 500 dollarë dhe do të akomodoheshin në një vilë 3 katëshe.

Punonjësit janë kthyer në atdhe e thonë se firma u ka borxhe, deri në 5 mijë dollarë, por askush nuk u përgjigjet në telefon. Sipas tyre, tani nuk u ka mbetur gjë tjetër veçse të marrin sëpatat e t’i thonë burgut hapu…

“Bëhet fjalë për një firmë ndërtimi me filial këtu në Tiranë, “Marko 2″, me pronar Artjan Marko dhe drejtor Ilir Polo. Kontrata premton se do të shkojmë në Kuvajt dhe Egjipt. Kemi firmosur një kontratë, akt-marrëveshje, në prani të një avokati. Kjo kontratë nuk na është dhënë asnjëherë, as kopje, as më vonë. Na është premtuar që do shkonim do të punonim në një kantier ndërtimi, fillimisht në Egjipt, pastaj mund të shkonim edhe në Kuvajt. Atje kanë marrë një shtëpi, një vilë 3 katëshe ku do akomodonin të gjithë ustallarët dhe punëtorët. Unë do të shkoja atje si inxhinier zbatimi. Pagat ishin goxha të majme, unë e kisha 2500 dollarë. Aty kemi qenë të detyruar të punojmë në kushte të këqija, lekët na i vonuan shumë. Kam punuar 4 muaj gjithsej atje, gjithsej kam marrë 5 mijë dollarë. Duke i kontaktuar vazhdimisht këta persona, na gënjejnë gjithnjë, na mashtrojnë, thonë këtë javë lekët, javës tjetër…”, tregon për mikrofonin e “Stop” një prej denoncuesve.

“Në Egjipt e regjistrova emrin për usta. Vajta më 29 Qershor, e deri sa e mbylli. Ka 3700 dollarë për të më dhënë”, tregon një tjetër.

“Në Egjipt unë kam punuar 3 muaj, në krye të 3 muajve unë nuk kam marrë asnjë lekë. Janë thjeshtë mashtrues. I jam drejtuar Stop-it për këtë problem”, shprehet denoncuesi tjetër.

“Kam vajtur më 5 Gusht në Egjipt, kam punuar 3 muaj. Rrogën e kisha 1200, kam për të marrë 3100 dollarë. Pra për aq ditë sa kam punuar. Nuk na kanë dhënë asnjë mandat, si letër dokumenti. Na kanë thënë do t’i merrni në Tiranë. Kur kam ardhur në Tiranë dhe kam takuar drejtorin më tha në fund të muajit kam për t’i dhënë. Erdhi fundi i muajit, ai as na dha lekë, e ka mbyllur edhe telefonin. I çoj mesazh drejtorit, drejtori asnjë përgjigje”, tregon një tjetër.

Gazetarja e “Stop” sëbashku me denoncuesit u nisën drejt zyrave të kompanisë së ndërtimit “Marko 2”, për të pyetur se përse gjithë kjo kohë e gjatë në dhënien e parave që u takojnë. Por në zyrë nuk ndodhej askush, ndaj e vetmja mundësi ishte kontakti nëpërmjet telefonit. Gazetarja e Stop i ra telefonit, por edhe aty askush nuk u përgjigj.

Përballë kësaj situate, denoncuesit u shprehën: “Tani na ka mbetur të marrim sëpatën e të dalim me sëpatë. Këtë kisha për të thënë unë, t’i themi burgut hapu”.

“Do shkojmë të ankohemi edhe në polici, të paraqitemi”, tha një tjetër.